7ARTE ANTARËSOHET NË TRANS EUROPE HALLES

Trans Europe Halles (TEH) është një rrjet Evropian i qendrave kulturore, të iniciuara nga qytetarët dhe artistët që avokojnë dhe promovojnë kulturën. Me rreth 90 organizata anëtare dhe bashkëpunëtorë në të gjithë Evropën, rrjeti funksionon si një forum dinamik i ideve, përvojave dhe shkëmbimeve, duke mbështetur anëtarët dhe komunitetin e tyre.

Organizatat anëtare të Trans Europe Halles kanë përvoja të veçanta dhe njohuri se si të transformohen hapësirat e braktisura industriale në qendra të gjallëruara kulturore, duke përfshirë dhe angazhuar artistët dhe komunitetin. 7Arte gjatë këtij viti ka filluar së zbatuari projektin “Vizionimi i hapësirave industriale të Mitrovicës” krahas së cilit do të zhvilloj edhe më tej projektin ideor të titulluar “TrepçArt City”, i cili sugjeron dhe synon rivitalizimin e zonës industriale të Fafosit/Trepçës, në një hapësirë që do mbështeste e promovonte industrinë kreative, zhvillimin ekonomik përmes bizneseve inovative e të qëndrueshme, si dhe do të konzervonte pjesën më vitale të hapësirës duke i dhënë funksione të reja e në përputhje me kërkesat e tregut ndërkombëtar.

Duke qenë se Trans Europe Halles kontribuon në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për sektorin e pavarur kulturor, përfshirja e organizatës 7Arte në këtë rrjet konsiderohet një hap para drejt zhvillimeve të reja kulturore në rajonin e Mitrovicës, si dhe rritjes së bashkëpunimeve ndërkulturore në nivel evropian.

7Arte është themeluar në vitin 2006, dhe ka për qëllim mbështetjen e artistëve kosovarë, si dhe promovimin e zhvillimin e një kulture të përbashkët evropiane. Viteve të fundit 7Arte e ka dëshmuar se është një prej qendrave kulturore më aktive në skenën e pavarur kulturore në Kosovë.

“Vizionimi i hapësirave industriale të Mitrovicës” është mbështetur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, si dhe nga programi EJA, menaxhuar nga KCSF.

Follow us on