Realizohet me sukses turi i parë i “Visit Trepça”

Organizata “7Arte” ka shënuar realizimin e turit të parë të hapur për vizitorët në kompleksin industrial të Trepçës dhe hapësirat tjera që trajtojnë historinë e bujshme të xehtarëve të këtij rajoni. Ky tur historik dhe kulturor u ofroi një aventurë të rrallë për të zbuluar pasurinë e vjetër industriale dhe trashëgiminë e kësaj zone të Kosovës.

Me qëllimin për të promovuar trashëgiminë industriale dhe kulturore të Trepçës, turin e parë e shoqëruan historian, inxhinierë dhe ciceronë me përvojë, të cilët çuan vizitorët në një udhëtim mjaft të ngjeshur, duke filluar me historinë e qytetit, të minierave, fabrikave dhe kompleksit industrial, për të vazhduar më pas me njohjen e objekteve të kultit dhe atyre që kanë shërbyer për nevoja të akomodimit.

“Ndjehemi të kënaqur që tashmë idenë e kahmotshme e vëmë në praktikë, duke promovuar trashëgiminë tonë industriale dhe kulturore për vizitorët e parë,” tha z.Lulzim Hoti, drejtor i “7 Arte”. “Ky është vetëm fillimi i një nisme premtuese, që synon të krijoj një ndërthurje në mes historisë, kulturës, dhe zhvillimit ekonomik të këtij vendi.”

Visit Trepça ka për qëllim të bëhet një destinacion i njohur për turistët vendas dhe ndërkombëtar që janë të interesuar të eksplorojnë trashëgiminë industriale dhe kulturën e pasur të Trepçës. Turin e parë e ndoqën vizitorë të apasionuar nga Prishtina, Prizreni, si dhe disa turistë ndërkombëtarë. Visit Trepça është gati të pres vizitorët e tjerë për të ndarë këtë aventurë unike. Së shpejti lansohet edhe “Purple Tour” me destinacion minierat e Artanës/Novoberdës.

Ky pilot-projekt është pjesë e programit vjetor të organizatës 7Arte, i cili është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe DEZHTIE – Komuna e Mitrovicës

Follow us on