TREPÇA DHE TRASHËGIMIA INDUSTRIALE ZGJON INTERESIMIN E FRANCEZËVE
Në kuadër të Javës së Frankofonisë në Kosovë, zyrtarë e drejtues nga Muzeu i minierave të Lewarde në Francë dhe përfaqësues të Ambasadës Franceze në Kosovë, z. Donato Giuliani dhe Valon Ibraj, kanë bërë një vizitë interesante në Kosovë për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit në turizmin industrial dhe kulturor. Përfaqësuesit francezë vizituan Muzeun Nacional të Kristaleve, Stan Tërgun, Parkun Industrial Trepça dhe panë ekspozitën “Vizionimi i Parkut Industrial Trepça” në galerinë “Shtatë”.
Takimi njëherit shërbeu për të shkëmbyer përvoja dhe ide për transformimin e hapësirave industriale të pashfrytëzuara në hapësira kulturore, dhe për të parë mundësitë e bashkëpunimit në turizmin kulturor. Nikoqirë të kësaj vizite ishin: drejtoresha Valdete Idrizi nga DKRS, si dhe Lulzim Hoti nga 7Arte.
Ky takim, vuri në dukje se Mitrovica ka potencial turistik në këtë fushë, dhe se bashkëpunimi me Francën mund të ndihmojë edhe më tej drejt zhvillimit të turizmit industrial dhe kulturor në vendin tonë.