7ARTE PROPOZON RIVITALIZIMIN E QENDRËS KULTURORE NË TUNEL TË PARË
Përfaqësuesë të 7Arte marrin pjesë në takimin rreth identifikimit të projektit të Fondit për Projektet e Investimeve Kapitale CIF.2 për komunën e Mitrovicës.
Arsyeja e këtij takimi ishte identifikimi dhe përzgjedhja e një projekti me të cilin Komuna e Mitrovicës do të konkuronte në nivel të Komunave të Kosovës, ku projektet fituese do të përzgjidhen nga UN-Habitat-i në bashkëpunim me MAPL-në, andaj pjesëmarrja e organizatave të shoqërisë civile të Mitrovicës në këtë proces vendimmarrës ishte e mëse domosdoshme.
Drejtori i drejtorisë për shërbime publike dhe infrastrukturë Z.Granit Tmava, pas kërkesës së banorëve të Tunelit të Parë propozoi të aplikojë me projektin “Rivitalizimi i hapësirave publike në Tunel të Parë” dhe shprehi vullnetin që këtë projekt ta diskutojë bashkarisht me të pranishmit për të marrë mendime dhe sugjerime që ndërlidhen me projektin.
Ndër të tjera, OJQ “7 Arte” e përkrahu projektin “Rivitalizimi i hapësirave publike në Tunel të Parë” meqenëse shumë aspekte të këtij projekti ndërlidhen me qëllimet dhe programet e organizatës “7Arte”, përfshirë këtu zhvillimin dhe krijimin e hapësirave publike – gjelbëruese dhe kulturore që do i shërbenin zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së komunitetit.
Vlen të kujtojmë se 7Arte ka inicuar projekt idenë që njëherit do i shërbente kësaj nisme, e që ka të bëjë me rivitalizimin e objektit i cili për dekada me radhë qëndron i braktisur dhe në anën tjetër ofron potencial për të shërbyer si qendër kulturore apo kinema me anekse tjera që do siguronin vetqëndrueshmëri. Për të arritur këtë, 7Arte pret bashkëpunim me nivelin lokal dhe qendror, si dhe organizatat relevante në mënyrë që projekti “Rivitalizimi i hapësirave publike në Tunel të Parë” të përfshijë edhe këtë propozim, meqë kjo hapësirë do luante një rol kyq drejt zhvillimit të qëndrueshëm, integrimit dhe zhvillimit social e kulturor.