Historia e Trepçës
Trepça ëshë e vendosur në një fshat të vogël në Mitrovicë, me një një histori të pasur minerore e cila daton që nga periudha romake, (bazuar ne një dokument të gjetur në arkivin e Dubrovnikut të vitit 1303). Eksploatimi modern i minierës filloi në vitin 1927 nga një kompani e Londrës, dhe Trepça shumë shpejtë u bë një shtyllë industriale kryesore për ekonominë e Kosovës. Prodhimi i rregullt filloi në vitin 1930, ku më vonë u bënë investime në metalurgjinë e plumbit dhe zinkut, dhe vazhdoi ndërtimi i fabrikave për përpunimin e metalit në qendra të ndryshme të Kosovës.
Në vitet 1950 dhe 1960, u bënë investime të rëndësishme në industrinë metalike dhe metalurgjike. Pastaj filloi ndërtimi i fabrikave për përpunimin e plumbit, zinkut dhe metaleve tjera, të cilat u ndërtuan në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan, Vushtrri dhe Skenderaj. Sidoqoftë, në vitet e ’90-ta prodhimi i minierës Trepça u ndërpre për shkak të shtypjes së autonomisë së Kosovës dhe dëbimit të punëtorëve shqiptarë nga vendet e tyre të punës. Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Trepça kaloi nën administrimin e Agjencionit Kosovarë për Privatizim dhe më vonë u shndërrua në një shoqëri aksionare me 80% të aksioneve të saj në pronësi të qeverisë së Kosovës dhe 20% në pronësi të punëtorëve të Trepçës.
Duke e konsideruar këtë histori të rëndësishme dhe impaktin e Trepçës në fushën ekonomike dhe social-kulturore, ne si “TrepçArt Factories” synojmë ta promovojmë integritetin dhe trashëgiminë industriale të Trepçës në mënyrë kreative të krijojmë mundësi atraktive për investitorët lokal dhe të huaj në të ardhmen e afërt. Përveç vlerës nëntokësore, është koha ta kthejmë vëmendjen te trashëgimia industriale dhe kujtesa kolektive e Trepçës. Për këtë arsye ne besojmë se Trepça , me historinë e pasur minerore dhe jo vetëm, përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore regjionale dhe zhvillimit të vet Kosovës. Duke pasur në mend që për dy dekada shumica e ndërtesave janë braktisur, ka ende mundësi të ruajtjes dhe promovimit të kësaj trashëgimie e cila do të çojë drejt potencialit të një zhvillimi të qëndrueshëm të regjionit përmes turizmit dhe krijimit të vendeve të reja të punës.