Kujtesa e Trepçës
Projekti “Kujtesa e Trepçës: rrëfime të 100 punëtorëve të Trepçës” ka bërë mbledhjen e rrëfimeve të 100 punëtorëve të ndryshëm të Trepçës: minatorëve, drejtorëve, administratorëve, punonjësve të ndryshëm në sektoret e saj. Rrëfimet janë mbledhur përmes intervistave autobiografike të realizuara nga organizata 7Arte në bashkëpunim me hulumtuese të Universitetit të Prishtinës. Videoincizimet do të ruhen si dëshmi e një kujtese të Trepçës që ka bërë historinë bashkëkohore të Kosovës. Ato do të vendosen në muze, biblioteka, arkive e uebfaqe, ndërsa transkriptat e këtyre intervistave janë botuar në vëllim të 10 librave. Në të ardhmen, synohet përkthimi i tyre në gjuhën angleze.
Pse janë mbledhur këto rrëfime jetësore të punëtorëve të Trepçës?
Trepça identifikohet me Kosovën moderne, si nga aspekti ekonomik, ashtu edhe nga ai politik. Rrëfimet e punëtorëve të Trepçës do të monumentalizojnë kujtesën e patreguar të Trepçës, të minatorëve të saj. Kujtesa kolektive e jetës ekonomike e industriale nuk është mbledhur sa duhet në Kosovë. Këto rrëfime do të bëhen një prej koleksioneve të rralla të kujtesës së industrializimit në Kosovë. Ato, njëherazi, do të reflektojnë edhe kujtesën politike, sociale e psikologjike të jetës në Kosovë.
Kujt i duhet kjo kujtesë e Trepçës?
Intervistat me punëtorët e Trepçës, sidomos ata që mbajnë mend kohën e zhvillimit të hovshëm industrial, por edhe transformimit në strukturën menaxheriale të Trepçës, do të shndërrohen në dokumente të rëndësishme për studimet historiografike, sociologjike, antropologjike e me radhë. Ato do të bëhen dokumente të njeriut të nëntokës së Kosovës, fotografi të kujtesës së minatorëve që ishin fanarët kryesorë ekonomik të kohës.