Në një nismë të frytshme të drejtuar nga organizata 7Arte, është prezantuar zyrtarisht nisma sociale “Visit Trepça”, e cila synon të mbrojë dhe promovojë trashëgiminë industriale të Trepçës, duke i dhënë kështu një perspektivë të re mundësive për zhvillime të reja ekonomike dhe kulturore. Kjo nismë ambicioze është e përqendruar në ruajtjen dhe pasqyrimin e pasurisë së veçantë të aseteve në sipërfaqe të Trepçës, me bindjen se ajo mund të jetë një burim i vlefshëm për komunitetin dhe një katalizator për qëndrueshmërinë dhe paqen në rajon.
Me një vizion të qartë dhe të frytshëm, 7Arte synon të krijoj mundësi ekonomike të qëndrueshme dhe të përgjegjshme për komunitetin, përmes praktikave të qëndrueshme mjedisore. Në këtë mënyrë, pilot-projekti “Visit Trepça” ka për qëllim të krijoj një platformë informuese e promovuese, ku vizitorët do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë rreth trashëgimisë industriale të Trepçës dhe potencialit të saj. Në të njëjtën kohë, synohet të promovohet turizmi i qëndrueshëm, duke inkurajuar njohjen dhe respektimin e historisë dhe vlerave kulturore të kësaj ndërmarrjeje të veçantë, duke mos lënë anash trashëgiminë kulturore të rajonit të Shalës së Bajgorës si dhe vet qytetit të Mitrovicës.
Në një kohë kur trashëgimia industriale dhe kulturore po përballet me sfida të ndryshme, nisma “Visit Trepça” paraqet një hap të rëndësishëm drejt ruajtjes së identitetit dhe pasurisë së një zone të rëndësishme të historisë dhe kulturës, jo vetëm në nivelin lokal, por edhe atë regjional e ndërkombëtarë. Së shpejti “Visit Trepça” do lansoj platformat informuese si dhe do të filloj me organizimin e tureve të para për turistë dhe qytetarë kurioz mbi historinë e Trepçës dhe trashëgiminë e saj.
Ky projekt ka gjetur përkrahjen nga Ministria për Kulturë Rini dhe Sport, si dhe Drejtoria për Ekonomi, Zhvillim, Turizëm dhe Integrime Evropiane në Komunën e Mitrovicës.